Liku.
Lëre muzikën të marrë frymë.
Liku flet për Singularity, kthesat e papritura dhe çlirimin e energjisë së mbledhur.
Liku
Një set live është një bisedë me publikun; një miks i regjistruar është një histori që ai zgjedh të tregojë. Për Likun, kureshtja i lidh këto dy përvoja. DJ-i me vendndodhje në Tiranë flet për fillin që përshkon edicionet e Singularity, një eksperiment me një surprizë të vendosur në një moment të përllogaritur me saktësi dhe ekuilibrin mes të kuptuarit të publikut dhe besimit te shija e vet muzikore.
Liku është DJ me vendndodhje në Tiranë, Shqipëri, dhe drejtues i emisionit Singularity. Përmes mikseve të regjistruara dhe seteve të tij live, ai eksploron atmosfera të thella, ritme hipnotike dhe tinguj më të papërpunuar.
Kureshtja si fill lidhës

Çfarë do të doje të dallonte një dëgjues si fillin që lidh edicionet e ndryshme të Singularity?
Kureshtjen.
Tingulli dhe atmosfera mund të ndryshojnë jo vetëm nga një episod në tjetrin, por edhe nga një pjesë muzikore në tjetrën brenda të njëjtit episod, qoftë gradualisht, qoftë përmes kalimeve të menjëhershme nga një energji e lartë në një më të ulët, ose anasjelltas.
Por ajo që mbetet e vazhdueshme është kureshtja: dëshira për të eksploruar vazhdimisht tinguj e ndërthurje të reja tingullore, me synimin për të krijuar një ndjesi të re, të thellë dhe hipnotike. Ndonjëherë kjo vjen përmes atmosferave të gjera, kozmike dhe melodive të errëta, ndonjëherë përmes një ritmi të qëndrueshëm e përsëritës, e ndonjëherë përmes një tingulli më të papërpunuar, me më pak elemente.
Për mua, bëhet fjalë për t’i dhënë muzikës hapësirë të marrë frymë, për të ndjekur drejtime të papritura dhe për të parë se ku të çon emocionalisht. Muzika është e përzgjedhur me kujdes nga krijimtaria e artistëve dhe shtëpive diskografike që vazhdojnë të sjellin diçka të re në skenë.
Çdo i ftuar ka hapësirën e vet për të eksperimentuar dhe për të sjellë këndvështrimin e tij, por filli që i lidh është ajo ndjesi kur muzika të përfshin dhe ti humbet në të, duke zbuluar diçka gjatë rrugës.
Një kthesë në minutën e 37-të
A mund të na tregosh për një eksperiment në një miks të regjistruar që të ndryshoi mënyrën se si i sheh mundësitë e një seti?
Po, patjetër. Dikur lexova një artikull që thoshte se këngët e suksesshme përdorin struktura matematikore, si Fibonacci sequence dhe Golden Ratio, për të krijuar moment që nxisin çlirimin e dopaminës. Ideja kryesore ishte se truri ynë kërkon patterns që përsëriten, por i pëlqen edhe diçka e papritur. Sipas artikullit, në një këngë ekziston një çast kur futja e diçkaje të re mund të ketë një ndikim veçanërisht të fortë.
Mënyra se si funksionon është duke marrë kohëzgjatjen e këngës në sekonda dhe shumëzohet me 0,618. Këtë e quanin “Phi Moment”: çasti i përsosur për të sjellë diçka të re dhe të papritur. Artikulli thoshte gjithashtu se i njëjti parim përdoret në filma të suksesshëm për të vendosur kulmet emocionale, si kthesat në ngjarje, shpërthimet apo zbulimet e rëndësishme. Në këngë, mund të jetë një synth ose kitare, apo një frazë muzikore pas refrenit që dëgjuesi nuk e pret. Unë e mora si një ide për të eksperimentuar, jo si një formulë të saktë për mënyrën se si funksionon truri i secilit.
Pasi e lexova, provova ta zbatoja të njëjtën ide në setet e regjistruara. Vetëm se, në vend të një kënge 3-4 minutëshe, e përshtata me kohëzgjatjen e të gjithë miksit. Për 1 set njëorësh, llogaritja është 3600 sekonda shumëzuar me 0,618, që jep 2224,8 sekonda. Pra, afërsisht 37 minuta e 5 sekonda.
Kështu, rreth atij momenti në set, fillova të fusja diçka që dëgjuesi nuk do ta priste. Ideja ishte të krijoja një pattern të caktuar dhe pastaj ta ndërprisja me diçka të papritur. Nuk e bëj gjithmonë, por e provoj herë pas here.
Çfarë duhet të ndiejë dëgjuesi në fund që nuk e ndjeu në fillim?
Të ndiesh pulsin e qytetit.

Përmende se ngjarjet në qytet ndonjëherë ndikojnë në muzikën që përzgjedh për setet live. A mund të na tregosh një rast kur kjo lidhje të bëri të zgjidhje muzikë tjetër?
Më vjen ndër mend një rast kur luajta pas disa lajmeve të rënda në qytet. Deri ne disa minuta para se të nisja setin isha përgatitur për të luajtur diçka të çiltër dhe energjike, por e pashë që nuk mu duk e përshtatshme për momentin. Ndaj u orientova drejt diçkaje tjetër. U ktheva ne drejtimin e kundërt nga nga çfarë kisha planifikuar. Në diçka pak më të errët dhe hipnotike.
Nuk ishte momenti për të dhënë ndonjë mesazh të madh. Ishte më shumë një mënyrë për të pranuar situatën.
Një tingull që të mbetet në mendje
Cili takim apo përjetim në skenën elektronike të Tiranës ka ndikuar në mënyrë të qëndrueshme te mënyra si e mendon muzikën?
Si në shumicën e qyteteve, edhe skena e muzikës elektronike në Tiranë ka një larmi të madhe stilesh. Ajo që më ka mbetur në mendje pas viteve të tëra duke dëgjuar e vëzhguar është se sa shumë bie në sy një DJ që ruan identitetin e vet muzikor.
Disa DJ luajnë atë që luajnë të gjithë, ndërsa të tjerë kanë një tingull që e dallon menjëherë që është i tyre. Ndoshta fajin e ka kujtesa ime e dobët, por rrallë më mbeten në mendje setet që tingëllojnë si gjithë të tjerat. Ato që më mbeten e gjejnë atë ekuilibër në pikën e përbashkët mes shijes së dëgjuesve dhe besnikërisë ndaj shijes së vet muzikore të DJ-it.
Këtë e kam përvetësuar edhe në mënyrën time të të luajturit: t’i kushtoj vëmendje publikut, duke i besuar njëkohësisht muzikës në të cilën besoj.
Në lëvizje, me trup e shpirt

Çfarë do të doje më shumë të eksploroje në vazhdim përmes Singularity?
Do të doja të eksploroja deri ku mund të shkojë evoluimi i tingullit, duke ruajtur dëshirën për të sjellë vazhdimisht diçka të re. Më ngjallin kureshtje lidhjet mes elementëve të perpunuara me një ndjesi të thellë atmosferike dhe tingujve më të papërpunuar e më nxitës, si edhe mënyrat e papritura se si mund të ndërthuren.
Do të doja gjithashtu të ftoja më shumë artistë që më befasojnë me përzgjedhjet e tyre. Një pjesë e kënaqësisë është të dëgjosh dikë që bën lidhje që unë vetë nuk do ti kisha menduar. Dua që Singularity të mbetet një hapësirë ku si të ftuarit, ashtu edhe unë, mund të eksplorojmë e të zbulojmë, duke u dhënë dëgjuesve diçka që ua vë trupin në lëvizje në mënyra të papritura, ndërsa mendja u endet në vende ku nuk kanë qenë prej vitesh, ose ku nuk kanë qenë kurrë më parë.
Synimi kryesor është të të vërë në lëvizje si këmbët, ashtu edhe shpirtin. Ka diçka të bukur e të pastër te një muzikë që të përfshin aq shumë, sa humbet ndjesinë e kohës dhe thjesht e ndjek kudo që të çon.
Liku
Interview by email · Editorial and image art direction: SCENE:ID. @bb.art__design · @m.schick_