MARTYR.
Gjithçka nis nga energjia.
MARTYR për Scuba Went Wrong, Golden Grooves dhe artistët e rinj që meritojnë të dëgjohen.
MARTYR
Një track i parë, një tarracë në periferi të Tiranës dhe një publik që të jep besim. MARTYR flet për techno si frymëzim, Indie Dance në setet e tij dhe Golden Grooves, projektin që e nisi me 20 veta. Një bisedë për atë që mëson pas pultit dhe për hapësirat që u duhen talenteve të reja.
MARTYR është DJ dhe producent nga Tirana, si dhe themelues i Golden Grooves. Scuba Went Wrong shënon projektin e tij të parë si producent i muzikës elektronike.
Mes ankthit dhe çlirimit
Te profili yt ndan Scuba Went Wrong. Cila ishte ideja që i dha drejtimin këtij track-u?
Scuba Went Wrong është projekti im i parë si producent i muzikës elektronike. Në fakt, e kam nisur këtë track si një eksperiment ndërsa isha duke mësuar hap pas hapi elementet e prodhimit, dhe aty kam kuptuar që jam i prirur të shkoj drejt ritmeve të forta, apo atyre që kategorizohen ndryshe edhe si “peak time”.
Scuba mendoj se ka një ritëm ndryshe nga techno klasike; përcjell një emocion ankthi dhe çlirimi në të njëjtën kohë, të cilat në këtë zhanër shkojnë shumë me njëra-tjetrën. Jo më kot edhe titulli është i tillë. Pavarësisht se tingujt e mi sot si DJ janë kryesisht në Indie Dance, techno do të mbetet gjithmonë frymëzim për mua.
Publiku si provë
Kur luan muzikën tënde në një set, çfarë të tregon reagimi i publikut që nuk e dallon dot në studio?
Është testi më i mirë i mundshëm nëse ke bërë një punë të mirë apo jo. Në studio, ai që të dikton është vetëm veshi yt, ndërsa përgjatë një seti janë njerëzit ata që të japin besim për të vazhduar. Energjia është thelbi, jo vetëm në muzikë, por edhe në jetë, dhe energjia nuk zhgënjen kurrë.
Në studio, ai që të dikton është vetëm veshi yt, ndërsa përgjatë një seti janë njerëzit ata që të japin besim për të vazhduar.
Nga 20 veta te një komunitet

Në postimin për Golden Grooves flet me shumë ngrohtësi për komunitetin. Çfarë e bën atë takim të ndihet i veçantë për ty?
Golden Grooves do të mbetet gjithmonë eventi më unik për mua. Është hapësira e parë nëpërmjet së cilës unë “linda” si DJ. Është një projekt të cilin unë e themelova për t’i dhënë fillimisht vetes një platformë për t’u dëgjuar.
Sot është një nga eventet më të këndshme në kryeqytet, me një nga pamjet më mrekulluese të perëndimit që mund të gjesh, me muzikë të përzgjedhur me shumë kujdes dhe me një komunitet njerëzish të bukur në shpirt që kanë shumë të përbashkëta. Ka nisur me 20 persona. Sot tarraca simpatike në periferi të Tiranës i ka tejkaluar pritshmëritë dhe është një platformë që mbështet shumë artistë të rinj.
Dy veta pas pultit
Ke ndarë edhe një b2b me ON.PLAY në Underground Agimi. Si e gjeni pikën e përbashkët kur jeni dy veta pas pultit?
Gëzoj shumë respekt për Gertin, siç njihet nëpërmjet emrit të tij artistik ON.PLAY, sepse është një ndër njerëzit më të vjetër në këtë industri dhe ka kontribuar shumë për skenën e muzikës. Hera ime e parë tek Agimi Underground ishte shumë e këndshme edhe për faktin se preferencat tona muzikore ishin të përafërta.
Të luash me dikë në një set nuk është aspak e lehtë. Setin me ON.PLAY do ta konsideroja një ndërthurje të talentit dhe eksperiencës. Jemi dy DJ që na bashkon pasioni i madh për muzikën. Shumë shpejt seti do të shfaqet në SoundCloud.
Hapësirë për zërat e rinj
Çfarë po ndodh sot në skenën e Tiranës që, sipas teje, meriton më shumë vëmendje jashtë vendit?
Tirana ka ndryshuar me ritme shumë të shpejta sa i përket muzikës elektronike. Jam i lumtur që sot kjo rrymë është prezente më shumë se asnjëherë më parë dhe që gjithmonë e më shumë artistë të mëdhenj po vijnë të performojnë. Por di të them edhe se ka shumë artistë të rinj vendas që janë shumë të talentuar, por që kanë pasur pak platforma për t’u dëgjuar.
Bashkëpunimet ndërkombëtare janë një mundësi e shkëlqyer për të rritur besimin dhe për t’i shtyrë përpara këta të rinj në ndjekjen e ëndrrave të tyre, dhe këtu përfshij edhe veten time.
MARTYR
Interview by email · Editorial and image art direction: SCENE:ID. Elios Dhora · @prettylightsz